“Rio 2016”, Kroacia merr arin e parë në atletikë

17/08/2016 00:00

Sandra Perkovic i dhuron Kroacisë medaljen e parë të artë në atletikë. Atëherë kur të gjithë prisnin eleminimin e saj, në tentativën e fundit të hedhjes së diskut, 26-vjeçarja kapi distancën 69.21 metra, duke u bërë dhe rezultati më i mirë në finalen e kësaj disipline. Medaljen e argjendtë e fitoi francezja Melina Rober Mishon me rreth 3 metra më pak, ndërsa atë të bronzit e fitoi kubanezja Kabajero.

Biles me 4 medalje ari. Amerikania triumfoi në ushtrimet e lira në tapet

Simone Biles rikthehet te fitorja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike. Gjimnastja amerikane shkëlqeu në ushtrimet e lira dhe siguroi medaljen e saj të katërt të artë në “Rio 2016”. Në vend të dytë dhe medaljen e argjendtë e mori bashkombësja e saj Eli Raisman me 15.5 pikë, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi britanika Emi Tinkler.

Boks, Konseisao merr medaljen e artë për peshat e lehta

Brazili fitoi medaljen e parë të artë olimpike në boks. Ishte Robson Konseisao ai që mposhti në finale francezin Sfian Umiha dhe zuri vendin e parë në kategorinë për pesha të lehta. Medalja e bronztë u fitua nga kubanezi Alvares dhe mongolezi Dornijambu.

Futboll për femra, Suedia mund Brazilin dhe kalon në finale

Suedia në futboll për femra befasoi stadiumin “Marakana” pasi mundi 4-3 me 11-metërsha vendaset braziliane dhe kaloi në finalen e kësaj Olimpiade. Koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi me barazimin 0-0, duke bërë që skuadrat t’i drejtoheshin pikës së bardhë. Nordiket u treguan më të sakta në këtë aspekt, duke gabuar vetëm 1 herë në 5 gjuatje, kundrejt dy gabimeve të brazilianeve.

Bolt pranë medaljes së dytë. Xhamajkani kaloi me lehtësi në gjysëmfinalen e 200 metrave

Usain Bolt e pati shumë të lehtë kualifikimin për në gjysmëfinalen e garës së 200 metrave. Xhamajkani, i cili ka premtuar se do të thyejë rekordin e tij në këtë distancë, e fitoi baterinë me kohën 20.29 sekonda, ndërkohë që kohën më të mirë në kualifikuese e shënoi De Grasse, me 20.09 sekonda.

Hedhje nga trampolina, kinezi Cao Juan merr medaljen e artë

Në hedhjen nga trampolina 3 metra për meshkuj, medalja e artë i shkoi kinezit Cao Juan, i cili në total grumbulloi 547.6 pikë. Për 21-vjeçarin kjo ishte medalja e tij e parë e artë olimpike në garimin individual dhe e dyta në karrierë pas asaj të fituar në “Londër 2012” në hedhjen e sinkronizuar nga trampolina 3 metra. Në vend të dytë u rendit britaniku Lafer, ndërsa në të tretin gjermani Hausding.

Not i sinkronizuar, Rusia pa rivalë

Rusia vërtetoi se nuk ka rivalë në notin e sinkronizuar në kategorinë dyshe. Binomi Ishcenko-Romashina grumbulluan 194.991 pikë, duke lënë në vendin e dytë dyshen kineze Xuechen-Venjan, ndërsa medaljen e bronztë e fituan japonezët Inui dhe Mitsui.

Top Channel