Veliaj: Do të ndërtohen 20 shkolla brenda vitit

17/08/2016 00:00

Projekti i Bashkisë së Tiranës për investime në infrastrukturën e shkollave parashikon ndërtimin e 20 të tillave me partneritetin publik-privat.

“Këtë vit bashkia do të fillojë ndërtimin e 20 shkollave. Është projekti ynë ambicioz që në partneritet publik-privat shkollat të ndërtohen të gjitha brenda 1 viti, por ama bashkia të mos detyrohet prej çështjeve financiare të paguajë të gjitha shpenzimet njëherësh, por t’i shtrijë ato ndër vite, duke përdorur formën e kësteve. Kjo është një mënyrë që na siguron menjëherë shkollat, por ama nuk na rëndon financiarisht”, shpjegoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Duke filluar që nga ky vit shkollor, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria Arsimore e Tiranës do të bëjnë një shpërndarje të barabartë të nxënësve nëpër shkolla për uljen e mbingarkesës. 

“Bashkë me Drejtorinë Arsimore Rajonale kemi marrë përsipër të bëjmë një shpërndarje proporcionale të nxënësve. E di që disa shkolla, përfshirë edhe shkollën “Emin Duraku”, kanë një reputacion të shkollave të mira, por kemi punuar me DAR-in që cilësia e mësimdhënies të jetë njësoj në gjithë Tiranën. Do t’u lutesha prindërve të Tiranës që të kenë parasysh se në çdo shkollë ofrohet shërbim cilësor dhe të mos këmbëngulin për t’i përqendruar nxënësit vetëm në ato pak shkolla në qendër të Tiranës. Nxënësit do të shkojnë në shkollën më të afërt të zonës së tyre të banimit, pra aty ku janë rezidentë. Kësisoj na mundësojnë një shpërndarje sa më proporcionale në të gjithë Tiranën”, shtoi Veliaj.

Teksa inspektoi punimet e bëra për rindërtimin e palestrës së shkollës “Emin Duraku”, kryebashkiaku siguroi se të gjitha shkollat do të jenë gati për procesin mësimor në fillimin e vitit shkollor.

Top Channel