Australia mbyll kampin e azilkërkuesve

17/08/2016 12:15

Australia ra dakord që të mbyllë kampin e azilkërkuesve në Papua Guinenë e Re. Kryeministri i kombit-ishull, Piter Onil tha se ishte takuar me ministrin e Emigracionit Piter Dutton dhe bashkë diskutuan për qendrën.

“Papua Guinea e Re dhe Australia ranë dakord që qendra në ishullin Manus të mbyllet. Po shqyrtojmë nëj seri opsionesh dhe ka rëndësi që procesi të mos bëhet me nxitim, por duke konsideruar interesat e banorëve të Papua Guinesë së Re dhe azilkëruesve”, deklaroi kryeministri Onil.

Marrëveshja mes dy vendeve vjen pasi Gjykata e Lartë e Papua Guinesë së Re vendosi se ndalimi i azilkërkuesve dhe refugjatëve në këtë kamp ishte jokushtetues. Autoritetet e Papua Guinesë së Re thanë se në qendër aktualisht gjenden 854 refugjatë dhe për shkak të numrit të madh, ajo s’mund të mbyllet menjëherë dhe se duhen marrë masa për zhvendosjen e tyre.

Ministri i Emigracioni i Australisë, Piter Duton konfirmoi marrëveshjen, por theksoi me forcë se asnjë prej njerëzve që gjenden aty nuk do të shkojnë në Australi pasi të mbyllet kampi. Dy vendet nuk dhanë detaje se ku do të dërgohen ata dhe kjo ka ngritur mjaft dyshime. Qeveria e Papua Guinesë së Re nuk mund të injorojë vendimin e Gjykatës Supreme, por fakti që askush nuk thotë se ç’do të bëhet me refugjatët, tregon se do të duhet ende kohë për mbylljen e qendrës.

Dy vendet kanë rënë dakord në letër për këtë, por në praktikë, duket se nuk kanë asnjë ide se si do të veprojnë.

Top Channel