Vrasja e personit me ngjyrë nga policia, Trump: Ishte e justifikuar

17/08/2016 10:00

Kandidati republikan për presidencën e SHBA-së, Donald Trump tha se provat fillestare sugjerojnë se vrasja e një personi me ngjyrë nga policia në Miluoki ishte e justifikuar.

“Duhet t’i bindemi ligjit, përndryshe nuk kemi një komb. Arma ishte drejtuar nga polici dhe ishte gati të hapte zjarr. Askush s’mund ta kundërshtojë këtë. Nëse kjo është e vërtetë, njerëzit nuk duhet të ngrihen në revolta”, deklaroi Trump gjatë mitingut të tij në Miluoki.

Vrasjet e njerëzve me ngjyrë nga policia vitet e fundit kanë shkatuar shumë demonstrata në SHBA dhe protestuesit thonë se policët janë më të gatshëm se sa duhet për të përdorur forcën vdekjeprurëse ndaj afroamerikanëve. Trump, gjatë gjithë fushatës së tij elektorale ka mbështetur fort policinë dhe në mitingun e Miluokit tha se mungesa e rendit efektiv është në dëm të komuniteteve afroamerikane që lëndohen nga dhuna.

“Lufta ndaj policisë është luftë kundër qytetarëve paqësorë që duan të punojnë, të jetojnë qetë e të dërgojnë fëmijët me siguri të plotë në shkolla”, deklaroi Trump, ndaj të cilit edhe në Miluoki pati protesta, kryesisht për mbështetjen që ai i jep policisë në çdo rast.

Top Channel