Joe Biden, vizitë në Prishtinë

16/08/2016 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden mbërriti mbrëmjen e së martës në Prishtinë për një vizitë zyrtare. Rreth orës 22:00, avioni i zëvendësit të presidentit Obama është ulur në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme edhe sportistja kosovare Majlinda Kelmendi.

Biden udhëtoi nga Beogradi në Prishtinë në një tur vizitash që synojnë nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes Serbisë dhe Kosovës.
 
Takimet zyrtare me presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa do të mbahen paraditen e sotme.

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara po viziton Kosovën së bashku me bashkëshorten Xhill dhe nipin dhe mbesën e tij. Pas ceremonive zyrtare, familja Biden do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të rrugës së re nacionale në Kosovë mes Gjilanit dhe Ferizajt, rrugën që do të marrë emrin e djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.

Top Channel