Biden në Beograd: Përmirësim marrëdhënieve me Kosovën

16/08/2016 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer edhe një herë në Ballkan në fund të karierës së tij politike. I angazhuar për Kosovën dhe në krizën e shkatërrimit të Jugosllavisë, Biden tani ka sjellë porositë e tij nga Uashingtoni për Ballkanin.

Gjatë vizitës në Serbi me kryeministrin Aleksandar Vuçiç, të cilin e ka quajtur mik, Biden ka folur për marrëdhëniet ndërshtetërore, bisedimet Kosovë-Serbi dhe mbi të gjitha për një përmirësim të të gjithë marrëdhënieve në Ballkan, porosi e cila do të përcillet edhe në Prishtinë.

“E para që kemi diskutuar janë bisedimet dhe rëndësia e ecjes përpara me kujdesin e BE-së që Serbia dhe Kosova të mund të ecin para. Është e vështirë dhe nuk ka asgjë të lehtë lidhur më këtë, ka shumë histori që duhen tejkaluar. Këtë do ta them edhe në Prishtinë, por jam i bindur se ju dhe ekipi juaj mund të bëni të pamundurën”, u shpreh Biden.
 
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia do të jetë e përkushtuar për t’i dhënë një frymë të re bashkëpunimi rajonit. Vuçiç e Biden kanë folur për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shtetasve amerikanë që u ekzekutuan në Serbi në përfundim të luftës.

Vuçiç tha: “Shumë gabime janë bërë në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. Për ne si qeveri dhe mua përsonalisht nuk është problem të marrim përgjegjësi për gabimet që kanë bërë bashkëkombasit tanë. Besojmë se këtë do ta bëjnë edhe të tjerët, pasi kanë vuajtur shumë serbë dhe shumë shqiptarë dhe në të ardhmen mund të kuptohemi dhe jo të shikojmë përmes nishanit të pushkës”.
 
Biden ka qenë i qartë se e ardhmja e Ballkanit nuk mund të jetë tjetër përveç integrimeve euro-atlantike dhe shoqëri demokratike.

Top Channel