Kosova shton radhët, lojtari i City-t braktis Austrinë

16/08/2016 00:00

Duket se do të shkaktojë një efekt domino vendimi i Milot Rashicës për të përfaqësuar kombëtaren e Kosovës në futboll, pasi mesfushori i Vitesse-s, Herolind Shala dhe Alban Meha janë vetëm disa nga emrat që do të përforcojnë skuadrën e shtetit të dytë shqipfolës në botë.

Tashmë ka ardhur edhe konfirmimi i futbollistit të ri të Manchester City-t, Sinan Bytyçi për të luajtur me një tjetër kombëtare nga ajo të cilën e kemi parë deri më tani.

Talenti i madh i “Sitizens”, i cili deri më tani ka përfaqësuar Austrinë, do ta vesh fanellën e përfaqësueses së Kosovës dhe është në hapat e fundit të formalizimit me kombëtaren e trajnerit Albert Bunjaku.

Sinan Bytyçi është prej vitesh pjesë e City dhe momentalisht po stërvitet me skuadrën e parë bashkë me Bersant Celinën. Deri tani ka luajtur më të gjitha grupmoshat e reja të Austrisë. Ai është mesfushor me tipare sulmuese dhe ofron kualitet për një ekip në formim e sipër si Kosova.

I lindur në Prizren në 15 janar të 1995, ai emigroi shpejt në Austri me familjen, ku nisi dhe hapat e parë të karrierës me ekipin e Karnten. Më pas kaloi në formacionin e parë austriak, para se të bënte një tjetër hap të madh si firma me Admira Vacker, që i dha udhë, kalimit te Manchester City.

Sezonin e fundit Sinan Bytyci luajti në huazim te Cambur në kampionatin holandez, por pa lënë shenjë.

Top Channel