Trump me rival të brendshëm, konservatori McMullin në garë

16/08/2016 00:00

Kandidati i pavarur për president në SHBA, Evan McMullin, është kualifikuar për raundin zgjedhor në Utah, duke bërë një hap diferencial në garën për Shtëpinë e Bardhë.

McMullin, me pikëpamje konservatore, duhej të merrte 1 mijë firma për t’u kualifikuar, por ai arriti të merrte 1083. Zëvendës drejtor i zgjedhjeve të Utah, Justin Lee, tha se tani ka një vend të rezervuar me emrin e Evan McMullin në fletën e votimit. Konservatori i falenderoi përkrahësit me anë të një statusi në “Twitter”.

Por, kandidatura e tij nuk është pa zarar për Donald Trump. Ajo mund ta pengojë miliarderin nga marrja e gjashtë votave elektorale në Utah në muajin nëntor, potencialisht duke ndihmuar kështu kandidaten demokrate, Hillary Clinton. Në shtetin e Utah, Donald Trump nuk ka kujtime të mira. Në raundin paraprak zgjedhor ai u mund nga Ted Cruz.

Ndërkohë, kandidati i pavarur për president Evan McMullin, ish-ekspert i anti-terrorizmit i CIA-s e ka shprehur hapur qëllimin e tij, se ka hyrë në garë, pasi kupton që as Donald Trump e as Hillary Clinton nuk janë figurat që mund të përfaqësojnë denjësisht amerikanët.

Top Channel