Legalizimet, favorizim emigrantëve

16/08/2016 00:00

Emigrantët që kthehen në atdhe për pushime dhe që kërkojnë të legalizojnë shtëpitë e tyre do të kenë trajtim preferencial në sportelet e ALUIZNI-t. 

“Për shkak të kësaj mbingarkese momentale, do të kërkoja edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë për t’ iu hapur udhë emigrantëve në këtë moment piku. Kemi marrë masa për të siguruar sportele të veçanta pranë drejtorive tona për këtë masë të madhe qytetarësh shqiptarë”, deklaroi Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t.

Lame thotë se procesi po ecën normalisht dhe se mesatarisht në një muaj legalizohen rreth 5000 objekte: “Një shifër e tillë na bën të frenohemi tek ky ritëm, të mos marrim kot e të shtojmë shifrat pafund që të mos lëmë vatra boshe apo problematika që çojnë në gjyqe më pas”.

Qarqet e para që pritet të mbyllin procesin plotësisht janë Dibra, Kukësi dhe Fieri. Nga muaji shtator pritet të hyjë në fuqi edhe marrëveshja mes ALUIZN-it dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, sipas së cilës nuk do të jetë më qytetari që do të shkojë në hipotekë për të kryer regjistrimin e pronës pasi pajiset me certifikatën e legalizimit, por ky proces do të përmbyllet nga vetë ALUIZNI.

Top Channel