Jemen, bombardohet spitali i Mjekëve pa Kufij

16/08/2016 00:00

Të paktën 11 persona u vranë si pasojë e një sulmi ajror ndaj një spitali të Mjekëve pa Kufijë në Veri të Jemenit.

Organizata bamirëse tha se 19 persona të tjerë u plagosën në sulmin që u krye në qytetin Abs, në provicën Hajjah dhe që besohet të jetë kryer nga koalcioni i udhëhqeur prej sauditëve që mbështet qeverinë jemenite në luftën kundër rebelëve huthi.

Koalicioni ende nuk e ka komentuar sulmin, por zakonisht ka tendencën që të mohojë akuza të tilla. Banorë të zonës rreth spitalit thanë se prej ditësh në aty janë zhvilluar bombardime të ashpra dhe ishte thjesht çështje kohe goditja e spitalit apo e ndonjë stukture tjetër civile.

Mediat nga terreni raportojnë se ekipet e para të shpëtimit jo vetëm që mbërritën me vonesë, por gjithashtu punonin me kujdes dhe ngadalë, pasi druheshin se avionët mund të sulmonin sërish.

Organizata Mjekët pa Kufi tha se mes viktimave ishte edhe një anëtar i stafit të tyre. Konflikti në Jemen që nisi në vitin 2015, i ka kushtuar jetën deri tani të paktën 6400 njerëzve, gjysma e të cilëve civilë. Mbi 2,5 milion njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve mes forcave qeveritare dhe rebelëve huthi.

Qeveria mbështetet nga koalcioni ajror i udhëhequr nga sauditët që s’mund të rrinin duarkryq, ndërsa rivali i tyre më i madh rajonal Irani mbështet rebelët huthi, pavarësisht se Teherani e mohon diçka të tillë.

Top Channel