PD: Polici i dënuar, në krye të Trafiqeve të Korçës

16/08/2016 00:00

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj ka deklaruar këtë të martë se, qeveria Rama nuk e ka seriozisht luftën kundër drogës dhe krimit.

Në një komunikim me mediat, Alibeaj ka akuzuar kryeministrin se emëron në postet kyçe të policisë njerëz me precedentë penalë.

“Ka caktuar në Policinë e Korçës, në cilësinë e shefit të seksionit të trafiqeve një person të dënuar pak muaj më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, saktësisht më 13 prill të këtij viti, pikërisht për bashkëpunim me trafikantët e drogës. Nardi Neli është dënuar nga Gjykata e shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e cila ka kërkuar që ky oficer të mos ushtrojë veprimtari publike për 3 vjet”, ka deklaruar Alibeaj.

Sipas tij, vepra që ka kryer Neli lidhet pikërisht me detyrën e tij, pasi akuzohet se ka zbuluar akte dhe të dhëna sekrete. “Ua ka dhënë informacionet sekrete trafikantëve të drogës. Ka tradhëtuar punën e oficerëve të ndershëm”, ka vijuar Alibeaj, i cili ka treguar edhe vendimin e gjykatës.

“Ky person, me Edi Ramën bëhet shefi i trafiqeve të Korçës. Në pika kyçe që lidhen me drogën dhe transportin e saj gjenden sot shumë persona me lidhje nepotike e lidhje të forta politike me Tahirin dhe Edi Ramën. Ata janë bërë ura e kalimit të drogës dhe janë një prej hallkave kryesore në këtë biznes gjigand kriminal, ku Edi Rama qëndron në krye të skemës 30 përqind për çdo rrënjë, fakte të konfirmuara tashmë edhe nga shërbimet sekrete italiane dhe gjermane”, ka shtuar Alibeaj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel