Tiranë, rritet vlera e pronës

16/08/2016 00:00

Vlera e pronave në Tiranë është rritur me 16% në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, thotë se të dhënat janë konfirmuar nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që kreditet për këtë, siç u shpreh kryebashkiaku, i shkojnë institucionit që drejton investimet në urbanistikë. 

“Çfarë do të thotë kjo? Nëse ne vazhdojmë të bëjmë investime, vazhdojmë të vëmë asfalt, ndriçim, bëjmë parqe për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët dhe gjithë infrastruktura moderne, rezultati duket menjëherë tek vlera e pronës që rritet. Pra, dikush thjesht sepse ka pasur një bashki në krye të punëve, ka sot një pronë që i vlen shumë më shumë se ç’ i vlente një vit më parë. Por që kjo të mbetet e tillë, duhet t’i ruajmë investimet”, tha Veliaj.

Ndërkohë, në vazhdën e investimeve për rikualifikimet urbane, bashkia përfundoi punimet në njësinë administrative numër 2, pranë ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Një zonë me 8 mijë banorë, ku u investua për lirimin e hapësirave publike, bërjen e kanalizimeve, trotuareve, një lulishte prej 140 metër katrorë, vende çlodhjeje dhe sistemin e ndriçimit.

Top Channel