Rama: Rilindje urbane për gjeneratën tjetër

16/08/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur përmes një statusi në Facebook komentuesve që sipas tij shtrojnë pyetjen: pse qendrat e qyteteve?

“Dëshiroj t’u them se 23 vjet u fillua kuturu çdo mandat, kap këtu një rrugë, riparo aty një copë ujësjellësi, hap andej një kanal e hidh matanë ca asfalt ose zhavorr dhe ja ku e gjetëm, pas çerek shekulli jo fshatrat s’iu afruan qyteteve, po qytetet u bënë si katunde të frikshme! Apo jo?!”, thotë Rama.

Ndërkohë, shprehet ai, Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka nisur prej aty ku ka nisur çdo qytetërim, çdo epokë apo kapitull i ri zhvillimi social e urban.

“Nga qendrat e qyteteve, të cilat janë qendra e gravitetit të bashkëjetesës komunitare, zemra që mban lidhur të gjitha arteriet e një njësie të organizuar shoqërore. Dhe prej aty programi po vijon të shtrihet në arteriet kryesore e, me patjetër do të prekë, pjesë – pjesë, çdo zonë të banuar të bashkive të reja që krijoi reforma historike e administrimit të territorit, fshat më fshat”, thotë Rama.

Ai shprehet i vetëdijshëm që shumë njerëz janë lodhur duke pritur 25 vjet që ky ndryshim real e i prekshëm, që sipas tij po ndodh sot në zonat qendrore të qyteteve, të kishte ndodhur në lagjen apo në fshatin e tyre.

“Kanë shumë të drejtë. Po çfarë të bëjmë sot?! Nuk besoj që edhe më të verbërit ta besojnë vërtetë se është mëkati i kësaj qeverie që në raport me zhvillimin urban të territoreve bashkiake e ka nisur punën aty ku, në fakt, puna duhet të kishte nisur 25 vjet më parë!”, thotë Rama.

Ai nënvizon se, të gjithë mund ta imagjinojnë se ku do të ishin fshatrat sot nëse puna do të kishte nisur në mënyrën e duhur 25 vjet më parë.

Por, vijon kryeministri, praktika “arrno këtu e arrno atje” ka bërë që 25 vjet të kalojnë të humbura. Por nga ana tjetër, ai shprehet i bindur se pas 10 vjetësh “drejtim i duhur” gjërat do të ndryshojnë.

“Prandaj, punë pa u lodhur, durim pa humbur logjikën dhe natyrisht sakrifica pa harruar qëllimin. Sepse, nëse një gjeneratë u rrit në një vend pa qytete në kuptimin më të thjeshtë të hapësirës publike e sociale, gjenerata tjetër meriton të ketë Shqipërinë e saj të qytetëruar europiane, që fizikisht nis pikërisht nga qendra e bashkisë. Dhe do ta ketë padiskutim Rilindjen ‎Shqipëria e gjeneratës tjetër”, ka shtuar Rama në profilin e tij.

Top Channel