Kushtetuta nuk zbatohet. Nuk zgjidhet KED; Nishani kërkon ndryshime te tjera

16/08/2016 00:00

Tani është zyrtare. Kushtetuta e re nuk mund të zbatohet dhe bashkë me të as reforma në drejtësi. Presidenti i Republikës shpjegoi se përse vendosi të mos e hedhë shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), siç parashikohej në Kushtetutë, 5 ditë nga hyrja në fuqi. Një afat që skadoi të martën.

“Në mungesë të ligjeve që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese”, shpjegoi Nishani.

Deri tani, asnjë nga 7 ligjet e paketës së emergjencës për zbatimin e reformës në drejtësi nuk është gati. Ligji i “vetting”-ut është vetëm në fazën e diskutimit mes ekspertëve, gjë që do të jetë temë e mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi të mërkurën. Presidenti u bëri thirrje partive t’i miratonin me konsensus dhe sa më shpejt të 7 ligjet, por jo vetëm ligjet. Por ndërkohë, pa kaluar ende një javë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, Presidenti sugjeroi edhe rishikimin e vetë Kushtetutës, të paktën për nenet që shfaqen në ngërç afatesh.
 
“Afatet e vendosura nuk mund të respektohen dhe çmoj se dispozitat përkatëse të Kushtetutës duhet të rishihen, referuar edhe ligjeve të tjera referuese që do të miratohen”, shtoi Nishani.

Vendimi i Presidentit për ta ushtruar kompetencën e tij pas miratimit të ligjit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ishte një sugjerim nga Kuvendi i Shqipërisë, me të cilin u bashkua edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Sipas Kushtetutës, kompetenca i kalon për 10 ditë kryetarit të Kuvendit, por i vetmi efekt që do të sjellë është pamundësia e respektimit të Kushtetutës për të dytën herë brenda 2 javësh.

Top Channel