Socialistët i prezantuan të hënën qytetarëve të Dibrës kandidatin e tyre për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama. Por nëse prezantimi ishte i thjeshtë, situata më përpara përcaktimit të emrit të tij, ishte më e komplikuar.

Muharrem Rama nuk u zgjodh vetëm se është një  kirurg i njohur në qytet. Të hënën ai u shoqërua nga  drejtori i Tatimeve të Dibrës, Dionis Imeraj, i cili deri të premten, siç njoftoi edhe Top Channel duke cituar burime të larta politike socialiste, ishte i përzgjedhuri për kandidimin.

Por çfarë ndryshoi, përveç zgjedhjes nga kampi rival i Sherefedin Shehut?  Nuk është sekret që mes socialistëve dhe LSI-së në Dibër ka patur përplasje mes drejtuesve lokale dhe duke zgjedhur kirurgun Muharrem Raman, Partia Socialiste beson se ka sheshuar mosmarrëveshjet brenda koalicionit në Dibër.

LSI-ja e kishte mbështetur Muharrem Ramën edhe një vit më parë, kur ai ishte diskutuar si kandidat i koalicionit për zgjedhjet lokale, por me ndërhyrjen e deputetit Ulsi Manja, u vendos për Shukri Xhelilin.

Ai i fitoi zgjedhjet, por i mbylli derën e Bashkisë LSI-së, një realitet për të cilin socialistët kanë dhënë garanci se nuk do të përsëritet më me drejtimin e bashkisë nga Muharrem Rama.

Jo rastësisht ndalesa e parë e kandidatit Rama ishte në Maqellarë, një zonë ku LSI-ja ka influencë dhe mbështetje të madhe elektorale.

Top Channel