Rrëmbeu 2 dekada më parë foshnjën e sapolindur, dënohet me 10 vjet burg

15/08/2016 00:00

Një grua në Afrikën e Jugut është shpallur fajtore me 10 vjet burg për rrëmbimin e një foshnjeje të sapolindur, pothuajse 2 dekada pasi mori fshehtas vetëm 3 ditë pas lindjes nga spitali, foshnjën e një gruaje tjetër.

Vendimi u shpall sot nga një gjykatë në Pretoria. Gruaja 51 vjeçare, emri i të cilës nuk bëhet publik me qëllim për të mbrojtur identitetin e vajzës që rrëmbeu 19 vite më parë, të cilën prindërit biologjikë e quajtën “Zephany Nurse”, u arrestua në 2015-ën pasi ngjarja doli në pah krejt rastësisht.

Vajza e rrëmbyer ndiqte një shkollë publike në të cilën shkonte edhe motra e saj biologjike dhe ngjashmëria mes të dyjave nxiti fillimisht autoritetet në shkollë që të kryenin testin e ADN-së. Pas testit, policia provoi se dy vajzat me 1 vit diferencë mes njëra tjetrës ishin motra, duke i dhënë fund kështu edhe dhimbjes 19 vjeçare të prindërve biologjikë, Celeste dhe Morne Nurse.
 
Prokurorët kërkuan nga gjykata që ta dënonte rrëmbyesen me 15 vjet burg pasi ajo u shpall fajtore për rrëmbim dhe mashtrim.

Por, 19 vjeçarja e rrëmbyer nga prindërit  e saj sot nuk dëshiron të kthehet në familje, por ka deklaruar se njeh si nënë të saj, atë që e ka rritur pavarësisht se ajo e ka rrëmbyer. Për momentin ajo është nën kujdesin e autoriteteve shtetërore.

Top Channel