Thaçi, homazhe në memorialin e dy fëmijëve serbë të vrarë në 2003

15/08/2016 00:00

Presidenti i Kosovës ka kryer këtë të hënë homazhet duke vendosur një kurorë me lule pranë memorialit të dy fëmijëve serbë të vrarë në vitin 2003, në shenjë pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo lëvizje e tij është kritikuar menjëherë nga shumë qytetarë kosovarë.

Hashim Thaçi, një ish komandant gjatë luftës kundër forcave serbe në vitet 1998-1999 është i pari president kosovar që viziton fshatin Gorazhdec, ku dy adoleshentë serbë u vranë teksa notonin në lum, qëlluar me armë zjarri nga fshati fqinj, banuar nga shqiptarë.

“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 14 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë. E drejta për jetë është e drejtë fondamentale për të gjithë. E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë. Të rinjtë e Gorazhdecit u vranë “nga dora kriminale, e jo nga shteti”.

Ende sot pas 14 vitesh, askush nuk është shpallur fajtor për vrasjet e vitit 2003 por popullsia shqiptare atje është akuzuar edhe për shumë sulme të tjera, të cilat janë konsideruar sulme hakmarrëse ndaj minoritetit serb.

Në shenjë paqeje dhe pajtimi, presidenti Thaçi i qerasi banorët serbë të fshatit me nga një gotë birrë, ndërsa ka pozuar bashkë me ta për të bërë fotografi.

Kjo është hera e dytë që Thaçi kryen homazhe në një memorial serb, pavarësisht kritikave të ashpra nga politikanë vendas dhe serbë.

Shumë qytetarë në Kosovë e shohin këtë veprim të Thaçit si të nxituar dhe kërkojnë që fillimisht Beogradi të kërkojë ndjesë për krimet në Kosovë nga forcat serbe.

Mbi 12 mijë persona, shumica shqiptarë, janë vrarë gjatë konfliktit të fundit të viteve ’90. Mbi 800 mijë të tjera u zhvendosën nga konflikti, që përfundoi vetëm pas fushatës bombarduese të NATO-s, që mposhti forcat e Milloshevicit. 1700 persona ende rezultojnë të zhdukur nga ajo kohë, shumica prej tyre shqiptarë.

Top Channel