Rashica e Meha largohen nga Kombëtarja, zgjedhin Kosovën

15/08/2016 00:00

Suksesi i Majlinda Kelmendit duke u shpallur kampione olimpike në Rio 2016 ka dhënë menjëherë efektet e para. Triumfi i saj duket se ka ndezur ndjenjat patriotike të Milot Rashicës dhe Alban Mehës, të cilët kanë vendosur të braktisin kombëtaren shqiptare dhe të luajnë për fanelën e Kosovës duke filluar nga eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.

Në një deklaratë të postuar në FB, pasi ka falënderuar të gjithë tifozët kuqezi për mbështetjen që i kanë dhënë deri tani, Rashica pohon se ka qenë një vendim shumë i vështirë, por që në fund peshorja e ndërgjegjes personale anoi nga vendlindja e tij.

Rashica shkruan gjithashtu se ky vendim nuk duhet marrë si diçka kundër Shqipërisë, por si një përpjekje për të dhënë kontributin e tij në hapat e parë të përfaqësueses se Kosovës. 20-vjeçari i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë u la jashtë Europianit nga trajneri Gianni De Biasi, gjë e cila mund të ketë ndikuar në vendimin e fundit të Rashicës.

Ndryshe ka vepruar Alban Meha, i cili në faqen e tij zyrtare në FB nuk ka shkruar asnjë fjalë, por ka publikuar një foto të tij me fanelën e përfaqësueses Kosovare.

Dihet që marrëdhënia mes De Biasit dhe mesfushorit nuk ishte më e mira e mundshme, madje në deklaratat e fundit për shtyp para evropianit, tekniku italian pohoi se Meha nuk bën më pjesë në planet e tij. Nëse Bunjaki do ti grumbullojë këta dy lojtarë, atëherë debutimi i tyre me përfaqësuesen e Kosovës do të jetë në Helsinki, në ndeshjen e parë ndaj Finlandës.

Ja statusi i plotë i Milot Rashicës

Përshëndetje!

Mbasi para disa ditëve informova presidentin e FSHF-së siç edhe trajnerin e kombëtares, dua të ju vëj në dijeni për vendimin që kam marr, për të luajtur në të ardhmen me përfaqësuesen e Kosovës.

Nuk e kisha të lehtë për të vendosur. Pasi një kohë të gjatë kam luajtur me grupmoshat e Shqipërisë si edhe me Kombëtaren, e cila ka përfaqësuar të gjithë Shqiptarët – brenda dhe jashtë trojeve. Ky vendim nuk është një vendim kundër Shqipërisë. Më tepër është një zgjedhje për Kosovën, mbasi unë aty kam lindur dhe jam rritur. Ky vendim me siguri nuk do të ju pëlqej të gjithëve. Shpresoj që të ketë një mirëkuptim nga ana e tifozëve dhe drejtuesve të FSHF-së.

Dëshira ime personale do ishte që një ditë të kishim një kombëtare të përbashkët dhe unë të isha pjesë e sajë. Për arritjen e kësaj ëndrre duhet të punojmë të gjithë shqiptarët së bashku.

Ju falenderoj të gjithë tifozëve shqiptar për mbështetjen! Jam krenar që pata mundësin për të luajtur me ngjyrat kuq e zi.

Top Channel