Me varka drejt “Shën Mërisë”, mungon ura që lidh Zvërnecin me manastirin

15/08/2016 00:00

Dita e shënuar e Shën Mërisë, e cila festohet çdo 15 gusht nga besimtarët ortodoksë është kthyer në traditë për zonën e Zvërnecit.

Por besimtarët dhe banorët që kanë vizituar manastirin, këtë herë e kanë patur të vështirë për shkak se ura që lidh ishullin me pjesën tjetër të zonës është prej kohësh e rrënuar.

Besimtarët kanë mundur të arrijnë në manastir nëpërmjet 6 mjeteve lundruese që janë vënë në dispozicion nga Bashkia e Vlorës. Prifti i Kishës së Shën Mërisë, At Papjani bëri urimin për besimtarët me rastin e festës.

“U njohëm me problemet e parashtruara gjithmonë, por sërish u kremtua me gëzim. Gëzuar për shumë vjet. Faleminderit qytetarëve dhe besimtarëve ortodoksë e jo vetëm për rikthimin e kësaj tradite të vjetër”, u shpreh At Papajani.

Këtë zgjidhje të përkohshme, kreu i Bashkisë së Vlorës e cilëson një përpjekje për të bërë zonën edhe më atraktive. Tenderimi për rindërtimin e urës ka dështuar disa herë, problem ky që sipas Fatmir Lelit do të zgjidhet shpejt në bashkëpunim me Kishën.

“Vendosëm që me komunitetin lokal t’iu ofrojmë turistëve një kthim në traditë. Meqenëse procedura e tenderimit për rikonstruksionin e urës nuk pati fitues, tani do të gjejmë një mënyrë tjetër”, tha Leli.

Dita e Shën Mërisë është festa më e madhe për ortodoksët pas Pashkëve dhe Krishtlindjes.

Top Channel