Muharrem Rama, takime me qytetarët në Peshkopi

15/08/2016 00:00

Socialistët i bënë një prezantim të thjeshtë me takime me qytetarët kandidatit të tyre për Bashkinë e Dibrës. Damian Gjiknuri, që është i ngarkuar me fushatën elektorale, duke krahasuar dy kandidatët u fokusua tek avantazhi më i dukshëm që ka sipas tij kandidati socialist.

“Ndryshe nga forca tjetër, ne nuk sjellim figura të ricikluara që thonë ‘jemi afër pensionit por kthehemi kur e kërkon partia’. Ne mendojmë se qytetarët e Dibrës duan djalin e tyre që të punojë në këtë qytet”, tha Gjiknuri.

Vetë kirurgu Muharrem Rama veçoi punën e tij në shërbim të komunitetit si avantazhin më të madh në garën elektorale të 11 shtatorit.

“Edhe unë mund të kisha ikur si kolegët e mi, por kam ngelur për t’iu shërbyer këtyre njerëzve si në spital dhe në bashki. Ndaj kërkoj mbështetjen e tyre për të treguar se PS është një parti për qytetarët”, tha Rama.

Për shkak se ka shërbyer si mjek për shumë vjet në Peshkopi, Muharrem Rama dukej i mirëpritur edhe nga banorët e Maqellarës, dikur një komunë, por tani pjesë e Bashkisë së Dibrës.

Ministri Gjiknuri tha se kandidati Rama ka mbështetjen e plotë të qeverisë për të çuar përpara projektet e zhvillimit në Dibër.

“Kjo do jetë fushata e qytetarëve, ata kanë këtu djalin që i ka shërbyer popullit. Pastaj ka edhe njerëz që kanë ikur në Tiranë për punët e tyre dhe tani kthehen këtu”, tha Gjiknuri.

Top Channel