Paloka: Shehu, kandidati i duhur. S’ka përçarje në PD

15/08/2016 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka deklaruar këtë të hënë se, Sherefedin Shehu është figura e duhur për zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës.

“Sherefedin Shehu është një figurë që meriton mbështetjen e dibranëve dhe të PD-së. Ai nderon PD-në dhe Dibrën, ndaj struktura e partisë duhet të ndihet e kënaqur me kandidatin dhe të punojë pa rezerva për ta bërë kryetar bashkie”, ka thënë Paloka.

Duke folur për mediat në fund të mbledhjes së grupit parlamentar, Paloka ka shprehur bindjen se përçarjet e mëparshme në PD mbi figurat e kandidatëve i përkasin së shkuarës.

“Përçarja e zgjedhjeve të fundit që solli humbjen e PD në Dibër mendoj se këtë herë nuk ka të njëjtat raporte”, tha ai duke iu referuar raporteve mes strukturave të partisë.

Por nga ana tjetër, Paloka ka paralajmëruar se, nëse dikush për interesa personale do të dalë kundër, “atëherë ai do të trajtohet si kundërshtarët dhe përgjigjen do ta marrë si kundërshtar”.

“Zgjedhjet në PD i pezullova unë, me vendim të kryesisë, natyrisht. Ato do të zhvillohen pas zgjedhjeve të bashkisë dhe do të shërbejnë për të treguar se sa vlera ka kjo parti”, ka thënë më tej Paloka, i cili është shprehur skeptik sa i takon mundësive për një proces të ndershëm elektoral.

“Të presësh fushatë dhe zgjedhje të ndershme nga Edi Rama, kjo është absurde”, ka thënë kreu i grupit demokrat, i cili ka paralajmëruar gjithashtu se, do të ketë pasoja për këdo që do të guxojë të grabisë votën e dibranëve.

Top Channel