“Rio 2016”, rezultatet e ditës së nëntë

15/08/2016 00:00

Përveç suksesve të Bolt, Van Niekerk apo Murray, dita e nëntë e Lojërave Olimpike shënoi të tjera rezultate në disiplina të ndryshme sportive.

Në garën e çiklizmit në pistë, britaniku Jason Kenny mbrojti titullin e fituar në vitin 2012, duke fituar medaljen e artë edhe në Lojërat Olimpike të këtij viti. Në vendin e dytë me medaljen e argjendtë u rendit një tjetër britanik, Callum Skinner, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi rusi Denis Dimitriev.

Në atletikë, në garën e 400 metrave për femra, Ellison Felix paralajmëroi të gjitha rivalet e saj teksa fitoi baterinë e saj gjysmëfinale me 49.67 sekonda, që është edhe koha e dytë më e mirë e vitit pas asaj të Shona Miller, e cila këtë radhë u rendit në vendin e dytë me 49.91 sekonda. Në gjysmëfinalen tjetër triumfoi xhamajkania Sherika Jackson me 49.83 sekonda, duke lënë pas Natasha Hastings, ndërsa në gjysmëfinalen e tretë kohën më të mirë e shënoi amerikania Phillis Francis me 50.31 sekonda

Në gjimnastikë, rusja Aliya Mustafina përfitoi nga mungesa e Simon Bajls për të fituar medaljen e artë në paralelet asimetrike, triumf i cili ishte i dyti radhazi për të në Olimpiadë në këtë kategori garash. Mustafina e mbylli garën me 15.9 pikë, duke lënë pas amerikanen Medison Kocian, e cila mori medaljen e argjendtë, ndërkohë që ajo e bronztë i shkoi gjermanes Sofi Sheder.

Në tenis, në lojën dyshe të përzier, medalja e artë ishte për skuadrën amerikane që e arriti këtë sukses falë dyshes Matek Sands-Sock. Në finale, këta dy tenistë mundën bashkëkombasit e tyre Venus Williams-Ram me rezultatin 2-1 (7-6, 1-6 dhe 7-10).

Top Channel