Shkodër, zbardhet përplasja me armë zjarri, 6 të arrestuar

15/08/2016 00:00

Policia e qarkut të Shkodrës ka arritur të zbardhë brenda 24 orëve një ngjarje kriminale, ku mbeti i plagosur shtetasi Donald Shtjefni.

Kështu, agjentët e anti-krimit në qytetin verior kanë vënë në pranga 6 persona, si dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër.

Episodi i rëndë ndodhi rreth orës 22:15 të së dielës, kur në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës u dëgjuan të shtëna armësh zjarri.

Nga veprimet e shpejta hetimore, përfshirë mbledhjen e dëshmive, agjentët kanë arritur të identifikojnë autorët, duke vënë në pranga shtetasit:

Behar Brajoviq, 36 vjeç, banues Shkodër (i dënuar më parë);
Ilir Rustemi, 40 vjeç, banues në  Shkodër, (i dënuar më parë);
Bledar Lekaj, 26 vjeç, banues në Shkodër (i dënuar më parë);
Donald Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër;
Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër;
Patrik Salaj, 21 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë.

Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet A.M, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për ngjarjen në fjalë, e cila sipas hetuesve ka nisur për motive të dobëta.

Nga hetimet është zbuluar se shtetasit në fjalë kanë qenë të ndarë në dy grupe. Donald Shtjefni, Kristian Shtjefni dhe Patrik Salaj kanë qenë në bordin e një automjeti tip “BMW” i llojit X5, me targë “SB 60 CEA”; ndërsa Behar Brajoviq, Ilir Rustemi dhe Bledar Lekaj në bordin e një tjetër automjeti, edhe ky “BMW”, me targë “AA 006 NL”.

Në ecje e sipër dy palët janë konfliktuar me njëra-tjetrën duke mos ngurruar të përdorin armët e zjarrit, të cilat kanë bërë që një nga automjetet të dalë nga rruga dhe që personat që ndodheshin në të të merrnin lëndime.

Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 10 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja model 54, 2 pistoleta, 1 automatik, 4 krehëra të mbushur me plumba, 4 telefona celularë dhe 2 automjete.

Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së qarkut verior për procedimin e mëtejshëm të çështjes, e cila ka formuluar tashmë akuzat e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Top Channel