Australi, mesazh fetar në kishë i protestuesve të djathtë

15/08/2016 00:00

Protestuesit e djathtë, të veshur më rroba myslimane dhe duke hedhur slogane antiislamikë, shqetësuan meshën në një kishë në bregun lindor të Australisë. Protestuestit ndëprenë meshën në kishën anglikane të Gosfordit, në provicën e Uellsi të Ri Jugor.

Grupi i protestuesve i përbërë nga rreth 10 persona hyri në kishë dhe u shtir sikur po lutej, ndërsa përmes një altoparlanti dëgjoheshin lutje myslimane. Policia lokale ka nisur hetimet për atë që kisha e përshkroi si një gjest racist. Partia e Lirisë, një grup që njihet për qëndrimin e tij antiemigracion, postoi në mediat sociale videon e incidentit dhe tha se kjo ishte një protestë kundër kishës që mbështet liderët islamikë dhe multikulturalizmin.

Kjo organizatë, formalisht ende jo parti politike, ka lidhje të ngushta me partitë ‘Një Komb” të senatores Pauline Hanson, e cila në zgjedhjet e fundit fitoi katër vende në senat.

“Ne duam të ndajmë Islamin me ju dhe kjo është e ardhmja. Ky është diversiteti kulturor”, dëgjohet të thotë një prej protestuesve në filmim. Sipas këtyre të fundit, protesta u organizua për t’i treguar kishës dhe komunitetit se duhet të heqin dorë nga mbështetja e Islamit, nëse nuk duan që inskenimi i organizuar prej tyre të shndërrohet në realitet në të gjithë Australinë.

Incidenti është dënuar nga autoritetet australiane dhe ato fetare, por sipas analistëve, ndjenjat antiemigracion në Australi po shtohen me kalimin e kohës.

Top Channel