Durrës, hyn në banesën e fqinjit dhe i rrëmben vajzën

15/08/2016 00:00

Një ngjarje tronditëse është verifikuar mëngjesin e sotëm në Durrës. Rreth orës 07:00, në fshatin Kodër Rrashbull, një 46-vjeçar ka kapërcyer murin rrethues të banesës së fqinjit të tij, ka hyrë brenda dhe i ka rrëmbyer atij vajzën e vogël, 11 vjeçe.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave shtetasi Arben Kabashi e ka marrë të miturën, e cila në momentin e rrëmbimit ndodhej në shtëpi bashkë me dy motrat, në banesën e tij.

Me të marrë njoftimin, blutë e qytetit bregdetar kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë rrethimin e banesës së 46-vjeçarit, me qëllim pengimin e largimit të tij.

Sipas burimeve, personi në fjalë, i cili vuan nga depresioni, mbante në dorë një thikë dhe kërcënonte se do të vriste vajzën.

Duke parë rrethanat, në pamundësi për të pritur forcat speciale, agjentët e policisë kanë ndërhyrë nga disa anë të banesës, fillimisht duke i tërhequr vëmendjen 46-vjeçarit dhe më pas duke i shkëputur vajzën.

Menjëherë më pas e mitura është dërguar në banesën e saj, ku i është dërguar edhe një psikologe për të parë gjendjen e saj.

Pak më vonë, me ndihmën e ekipit të negociatorëve të RENEA-s, trupat policore kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Kabashi, i cili është bindur që të dorëzohet.

Top Channel