Të shtëna gjatë një proteste në SHBA

15/08/2016 00:00

Të shtëna armësh janë dëgjuar gjatë protestave të radhës në qytetin amerikan Miluoki, ndërsa demonstruesit dolën në rrugë për natën e dytë rresht. Trazirat nisën të shtunën, pasi 23-vjeçari me ngjyrë Sylville Smith u vra nga policia pas një ndjekjeje.

Autoritetet amerikane thanë se viktima ishte i armatosur dhe se nuk e hodhi armën edhe kur policët e paralajmëruan se do të hapnin zjarr. Dhuna policore ndaj komunitetit me ngjyrë në SHBA ka shkaktuar shumë protesta gjatë dy viteve të fundit dhe tashmë çdo rast i tillë nxit demonstrata, pavarësisht situatës.

Në Miluoki, me qindra njerëz u përballën me policinë, ndërsa kjo e fundit po përpiqej të shpërndante turmën. Mediat lokale raportuan edhe për të shtëna, megjithëse nuk ka lajme për të plagosur apo të vrarë. Sidoqoftë, situata vazhdon të jetë shumë e tensionuar në një qytet ku 40% e popullisë është me ngjyrë.

Guvernatori i Uiskonsinit, Skot Uoker tha se ka vënë në gatishmëri gardën kombëtare, nëse forcat policore do të kenë nevojë për ndihmë për të ruajtur rendin në Miluoki. Protestat e shumta në SHBA kundër policisë, por edhe sulmet ndaj agjentëve, si në Dallas ku u vranë 5 prej tyre, kanë tensionuar tej mase raportet mes policisë dhe komuniteve pakicë, sidomos atij me ngjyrë.

Analistët thonë se marrdhëniet mes policisë dhe një pjese të konsiderueshme të publikut janë në pikën më të ulët prej dekadash dhe duhen marrë hapa të menjëhershme për të qetësuar situatën.

Top Channel