Protestë për pronat në Himarë, kundërshtohet plani urbanistik

15/08/2016 00:00

Banorët e Himarës protestuan të dielën kundër planit urbanistik të qytetit që parashikon prishjen e disa shtëpive dhe bizneseve të tyre. Në podiumin e vendosur në qendrën e quajtur Spile, që këto ditë është shndërruar në kryeqendrën e turizmit për shkak të numrit të madh të pushuesve, banorë dhe kryetarë të shoqatave himariote morën fjalën me radhë për të kërkuar anullimin e planit.

Protestës iu bashkuan edhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kreu i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

“Rama dhe kushdo tjetër të mos lozë me interesat e pronarëve. Ka ardhur koha që politikën ta bëni ju me zërin tuaj të jeni bashkë”, tha Mediu.

“Po ta nisja greqisht do të thoshin gazetarët se flas greqisht, po ta nisja në shqip, himarjotët do mendonin se i braktisa. Në çfarëdolloj gjuhe ta themi kjo është toka jonë! Ky është shpirti ynë!”, tha Dule duke përsëritur të njëjtin fjalim edhe në greqisht.
 
Banorët thonë se nuk janë konsultuar mbi projektin, por kreu i bashkisë Goro hedh poshtë këto pretendime.

Ndërkaq pak ditë para protestës në Jug mbërriti edhe personi i njohur për qëndrimet e tij për Himarën, të cilën e quan tokë greke, Nikolas Gejxh, i shpallur person non grata nga qeveria shqiptare në vitet ‘90.

Nuk dihet nëse largimi i tij para të dielës lidhet me raportimet në media mbi një përfshirje të mundshme të tij në protestë, gjë që organizatorët e mohojnë.

Top Channel