Phelps mbyll karrierën; Sportisti triumfator i historisë Olimpike

14/08/2016 00:00

Michael Phelps e mbyll me medalje ari karrierën e tij olimpike. Peshkaqeni nga Baltimore i cili ishte pjesë e skuadrës amerikane në triumfin 4×100 m stil i përzier, ka deklaruar se në ndryshim nga Londër 2012, këtë herë vendimi i tij është i pakthyeshëm.

“Në 2012 kisha premtuar se nuk do të kthehesha më, por ndryshova mendje. Këtë herë vendimi im është përfundimtar, nuk do të garoj më në këto nivele”, shprehet Phelps.

Një karrierë e pabesueshme kjo e peshkaqenit Phelps i cili me 28 medalje në total, 23 ari, 3 argjendi dhe 2 bronzi bëhet dhe sportisti me më shumë medalje të fituara në historinë e lojërave olimpike. Nëse ai do të ishte një shtet, atëherë 31-vjeçari do të kishte lënë para shtete si Argjentina, Xhamajka dhe Irani në klasifikimin për medalje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfuan edhe në 4 x 100 metra stil i përzier për ferma. Notaret amerikane regjistruan kohën 3 minuta 53 sekonda e 13 të qindat, sukses ky që e çon në 1001 numrin e medaljeve të arta në historinë e Olimpiadës.

Top Channel