Sulmi tragjik në Zvicër, vdes një nga të plagosurit

14/08/2016 00:00

Incidenti tragjik i së shtunës ku një person i armatosur me thikë i vuri zjarrin një treni në Zvicër, shënoi viktimën e parë. Një grua 34-vjeçare nuk i rezistoi dot plagëve të sulmit.

Policia tha se të plagosurit janë në gjendje të rëndë, mes të lënduarve është edhe një fëmijë 6 vjeç. Në spital po ashtu gjendet i shtruar edhe agresori 27-vjeçar. Para se të plagoste me thike, agresori ndezi një zjarr në tren me një lëndë djegëse.  Zëdhënësi i policisë së kantonit Saint Gallen hodhi dritë mbi ecurinë e hetimeve, por përjashtoi pistën e terrorizmit.

“Për momentin ne nuk jemi duke e trajtuar këtë si një sulm terrorist, ose si një krim të motivuar politikisht ose nga ksenofobia. Ne nuk kemi indikacione për këtë. Dhe as nuk kemi asnjë tregues se ishte një krim pasioni. Për momentin nuk  kemi absolutisht asnjë informacion per ate se cili mund të ketë qenë motivi. me sa dimë ne aktualisht, agresori  ka vepruar i vetëm”, deklaroi zëdhënësi i policisë, i cili nuk përjashtoi mundësinë për të tjera viktima.
Pesë persona po trajtohen aktualisht në spital. Ata janë plagosur të gjithë shumë të rëndë. Për fat të keq ne duhet të presim se jo të gjithë prej tyre mund t’i mbijetojnë këtij sulmi.

Autoritetet ende nuk e dinë nëse agresori është plagosur edhe vetë rastësisht apo e ka bërë qëllimisht përfshirjen në flakë.

Top Channel