Një nga dramaturgët më të mëdhenj të Antikitetit romak, Plauti, dhe komedia e tij “Binjakët” u shfaqën mbrëmjen e së shtunës premierë për artdashësit e qytetit të Durrësit.

“Është zgjedhur nga regjisorja Driada Dervishi ky festival i cili mban emrin “Verë në Epidamus” dhe ky amfiteatër për të bërë paraqitjen e parë të kësaj pjese”, shprehet drejtor i teatrit ”Aleksandër Moisiu” Bashkim Hoxha.

Ngjarjet në këtë komedi, që ka frymëzuar edhe autorë të mëdhenj, si Shakespeare e Moliere, vendosen në Epidamnin e lashtë, në Durrësin e sotëm. “Binjakët” interpretohen nga aktori Romir Zalla, si një zgjedhje e regjisores Driada Dervishi.

“Mendoj se kjo është një gjë shumë e bukur, që kjo komedi të vendoset në amfiteatrin e Durrësit. Është një komedi simpatike nga e cila janë frymëzuar edhe shumë autorë më pas”, shprehet aktori Romir Zalla.

Në një rrugë të Epidamnit, mes shtëpisë së vëllait të humbur dhe një kurtizaneje, zhvillohet historia e komedisë, ku njëri nga binjakët vjen të kërkojë nga Sirakuza vëllain e humbur që fëmijë.

Përmes situatave jetësore dhe personazheve të interpretuar nga Romir Zalla, Besmir Bitraku, Amos Zaharia, Suela Bako, etj., aktorët ftojnë për një reflektim mbi të kaluarën e të sotmen e qytetit dhe banorëve të tij, që shfaqen si njerëz qeflinj dhe verëdashës.

Top Channel