Thaçi: Vizita e Biden, historike. Miqësia Kosovë-SHBA, e përjetshme

14/08/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar historike vizitën e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në Kosovë.

Biden, i cili pritet të vijë në Kosovë të martën e javës së ardhshme, sipas Thaçit punon prej 26 vitesh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Ja postimi i plotë i Thaçit në rrjetin social Facebook:

“Javën e ardhshme vjen zëvendëspresidenti Biden në Republikën e Kosovës. Kjo vizitë e mikut të Kosovës shënon një moment të ri dhe historik për Kosovën. Prej 26 vitesh, zëvendëspresidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Populli i Kosovës është krenar me mikun, i cili që nga fillimi i viteve ’90 ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Uashington. Miqësia e Kosovës me SHBA-të është e përjetshme.

Kosova dhe populli i saj i janë mirënjohës përjetë zëvendëspresidentit Biden dhe familjes së tij për kontributin e tyre. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë SHBA-të”, shkruan Thaçi.

Top Channel