Kosovë, nis puna për heqjen e barrikadës. Pas 16 vitesh bashkohet Mitrovica

14/08/2016 00:00

Në Mitrovicë kanë nisur këtë të dielë punimet për heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër, urë e cila lidh dy pjesë të qytetit, atë të veriut me atë të jugut. Një urë që qëndron gjithashtu e mbyllur prej 16 vitesh nga serbët, që prej fundit të luftës, duke mbajtur edhe qytetin të ndarë.

Hapjen e urës, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si fryt të marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit. Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri e cilësoi këtë si një ditë të rëndësishme për Kosovën, pasi sipas saj ura e Ibrit do të jetë çelësi i bashkëpunimit mes qytetarëve dhe komuniteteve.

Projekti financohet nga Bashkimi Europian, e veç përfaqësuesve të tyre, edhe krerët e pushtetit vendor do të mbikëqyrin procesin. Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorët dhe për automjetet në të dyja drejtimet, sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor, për të cilin të dyja palët ranë dakord në qershor të vitit 2015. Po ashtu, datë për përfundimin e punimeve në shëtitore është caktuar 20 janari i vitit 2017.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës i përgëzoi qytetarët e Mitrovicës për kujdesin e treguar gjatë kësaj kohe bllokade, si dhe falënderoi organet e sigurisë KFOR dhe EULEX për mbarëvajtjen e rendit. Zona njihet edhe si “Parku i paqes”, pasi në vitin 2014, serbët mbollën pisha dhe i vendosën mbi urën e lumit Ibër.

Top Channel