Bylykbashi reagon për “Rilindjen” e Durrësit: Katrahura, prej kryebashkiakëve socialistë

14/08/2016 00:00

Një ditë më parë, kryeministri Rama publikoi në rrjetin social “Facebook” një foto mbrëmjeje nga qyteti i Durrësit, të cilin e quajti edhe si shembull domethënës i programit të “Rilindjes Urbane”, që duket se ka transformuar zonën e plazhit, duke bërë që qyteti më i madh bregdetar të njohë një hop të ri zhvillimi turistik prej vitit të ardhshëm.

Por mesditën e kësaj të diele, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka reaguar sërish përmes një publikimi në “Facebook”, duke e akuzuar kryeministrin se po tallet me durrsakët, të rinj e të vjetër, e madje për këtë as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet. Më e keqja, sipas tij, është se ka disa që duartrokasin dhe shumë të tjerë heshtin, edhe pse u përzihet.

Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi

“Kryeministri paska qenë në Durrësin tonë dhe qenka mrekulluar nga mrekullitë urbane të Rilindjes! Rilindjes urbane që paska transformuar zonën e plazhit?! Cilat? Që nuk ka ujë, ikin dritat? Në plazhin që dikur krenoheshim, por tashmë kur kalon andej jo vetëm që nuk e sheh detin nga rruga, apo nuk dallon më kush është sektori i ‘Agipit’, ‘Teutes’, ‘Apollonisë’, ‘Hekurudhës’ apo ‘Ilirisë’; por ke vetëm dy mure 10 apo 15-katëshe pallatesh, që ngjajnë si rafte për njerëz dhe nuk kanë lidhje me turizmin. Vjet u shpenzuan dy milionë euro për rrugën e plazhit, me palma e llampa, ndërsa tani shqepet përsëri rruga dhe futen në xhepat e qelbur milionat”, shkruan Oerd Bylykbashi.

Ndërkohë, fajtorë për këtë gjendje, Bylykbashi bën kryebashkiakët socialistë, që kanë pasur në duart e tyre qeverisjen lokale të Durrësit prej vitit 2000.

“Po kush e degjeneroi plazhin, aq sa ka njerëz që thonë se e vetmja zgjidhje është ta sheshosh të tërin, edhe pse e dinë që kjo s’bëhet dot? Kryetarët e bashkisë socialiste e kanë bërë këtë katrahurë. Ata e bënë këtë! Le të dalë e të guxojë njeri të thotë të kundërtën! Po ndërtimet mbi arkeologjinë, që pak qytete në botë e kanë nën këmbët e tyre, kush i lejoi? Kush po shpenzon 6 milionë dollarë për një shëmti betoni që e quakan ‘Vela’, a ku e di njeri se çfarë, një ngrehinë betoni në hyrje të Portit? Ndërkohë, në mos të investoheshin për kanalizimet, se po përmbytet qyteti me 15 minuta shi, të investohen për të nxjerrë në pah arkeologjinë e qytetit”, shprehet më tej deputeti Bylykbashi.

E më tej vijon sërish me akuzat ndaj kryeministrit Rama.

“Rilindje quan sheshin me pllaka e palma, që zhduku gjurmët e viteve ’20 të shekullit të kaluar dhe e bëri sheshin e Durrësit 2700-vjeçar të njëjtë me sheshet e qyteteve që ngriti komunizmi 50-60 vite më parë?! Qyteti është kthyer si një kopësht zoologjik nga qentë endacakë, që turren si banda nëpër qytet. Por këtë e bëj hallall, krahasuar me faktin që Durrësi është kthyer në një Palermo, Napoli apo Marsejë, nga instalimi në të i bandave më të rrezikshme mafioze e kriminale në vend, por që i kanë frikë edhe jashtë Shqipërisë. Ndoshta i duket si Rilindje kryeministrit, ajo karagjozata e lyerjes së fasadave që shohin portin. Të duket sikur pallateve u ka plasur lija e dhenve apo fruthi. Me atë u prezantohemi të gjithë turistëve që vijnë me tragete apo krocera, por është një karagjozatë që ka kushtuar lekë dhe një pjesë është ndarë në xhepat e qeveritarëve”, shkroi mes të tjerave në rrjetin social Bylykbashi.

Durrësi, që dikur ishte krenari e Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, siç shprehet deputeti demokrat, ka njohur disa valë barbarie: fiset vandale, kryqtarët, normanët, turqit, por si barbaria e këtyre 16 viteve të fundit nuk kishte parë. “Dikur po të iknin qytetarët, mbetej Durrësi me madhështine antike. Po u zbraz qyteti sot, mbetet një shëmti urbane që e ka emrin Rilindje”.

Në fund, ai e mbyll me këto fjalë.

“Në fakt, kjo tallje e kryeministrit është për çdo durrsak dhe nuk mjafton të rrudhësh buzët, të flasësh nën zë e të kthehesh nga ana tjetër alla-durrsakshe. Këtij që tallet me ne, i duhet kthyer ‘gjysma e lekut’ që i kemi borxh!”.

Top Channel