Vlorë, riaktivizohet zjarri në pyllin e Poros

14/08/2016 00:00

Zjarri që ra mesditën e së shtunës në pyllin e Poros, është mundur të vihet nën kontroll në orët e para të mëngjesit të së dielës. Por flakët, që kanë vazhduar edhe përgjatë natës të shkrumbojnë mijëra pisha në këtë zonë, janë riaktivizuar sërish mesditën e sotme, madje duke u shtrirë edhe në 24 vatra të reja.

Gjithçka favorizohet edhe nga era, e cila gjatë natës kishte pushuar, ndaj dhe situata pritet të dalë sërish jashtë kontrollit. Për vatrat aktive po punohet nga forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilëve u kanë ardhur në ndihmë edhe forcat e policisë, asaj bashkiake dhe punonjës të Ndërmarrjes Pyjore.

Me ndihmën edhe të helikopterëve nga ajri, gjatë natës u bë i mundur izolimi i përkohshëm i vatrave të mbetura të zjarrit, por po punohet sërish për shuarjen totale të tyre. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e ndoqi nga afër situatën dhe u shpreh gjatë natës se, ky fenomen është një zjarrvënie e qëllimshme. Zjarri rrezikonte edhe Zvërnecin, ndërsa banorëve të zonës iu kërkua evakuimi.

Top Channel