Nju Jork, vritet imami. Besimtarët kërkojnë drejtësi

14/08/2016 00:00

Një imam dhe ndihmësi i tij u ekzekutuan, ndërsa ecnin përgjatë një rruge në zonën e “Queens”-it në Nju Jork. Policia tha se, vrasësi iu afrua dy viktimave pas shpine dhe i qëlloi që të dy në kokë.

Sipas medieve, imami Maulama Akonje, 55 vjeç, erdhi të jetojë në Nju Jork nga Bangaldeshi dy vite më parë. Sipas hetuesve nuk ka prova apo të dhëna, që dy viktimat u shënjestruan për shkak të fesë së tyre.

E megjithëse dëshmitarë okularë treguan për një mashkull, që largohej me armë në dorë nga vendngjarja, akush nuk është arrestuar. Nga dëshmitë mësohet se agresori ishte i bardhë.

Imami Akonje dhe ndihmësi i tij, Tara Udin, 64 vjec, u vranë pak metra larg xhamisë Al Furqan dhe, sipas miqve të tyre, ata sapo ishin larguar nga xhamia pas lutjeve, kur u qëlluan.

Dhjetëra njerëz nga komuniteti mysliman i zonës u grumbulluan në vendngjarje për të mbajtur zi, por edhe për të protestuar, ndërsa shumë prej tyre kërkuan drejtësi.

Besimtarët myslimanë të xhamisë thanë se policia duhet ta trajtojë ngjarjen si një krim urrejtjeje, megjithëse nuk ka të dhëna për këtë. Besimtarët e zonës thanë se kur ndodhin ngjarje të tilla ndihen të pasigurtë dhe kjo rrit tensionin në komunitet.

Top Channel