Lineker mban premtimin e dhënë

14/08/2016 00:00

Ish-ylli i kombëtares angleze të futbollit, tanimë prezantues i emisionit kryesor të fubollit në “BBC”, e mbajti premtimin e bërë një vit më parë në “Twitter”, kur shkroi se do të prezantonte emisionin e pari të sezonit të ri të rubrikës sportive me të brendshme.

55-vjeçari Lineker, as vet nuk e kishte besuar kur bëri atë premtim të shkujdesshëm, se ekipi i tij i zemrës Leicester City do të fitonte Premier Leaguen e sezonit të kaluar, çfarë realisht ndodhi dhe madje edhe me një diferencë prej 10 pikësh nga ekipi i renditur i dyti, duke shkaktuar sensacionin më të madh në futbollin anglez.

Duke hapur emisionin, “Match of the day”, Gary Lineker, i cili ka shënuar 95 gola me Anglinë në 194 ndeshjet e luajtura dhe që ka luajtur edhe në Tiranë ndaj Shqipërisë, vend me të cilin ka një lidhje të veçante, tha se “është unike dhe një mrekulli sportive, që më detyroi të dal me të brendshme përpara jush”, referuar shikuesve të emisionit.

Edhe pse nën një trysni të madhe nga mediet sociale për të mbajtur premtimin, Lineker arriti të ruajë seriozitetin, ndërkohë që të ftuarit e tjerë, ish-futbollistë të famshëm të Anglisë, si Alan Shearer dhe Ian Wright, qeshnin me të në sfond, ndërkohë që Lineker hapi emisionin dhe qëndroi me të mbathura edhe gjatë komentimit të ndeshjes së parë të sezonit të ri, atë mes Hull dhe Leicester, me këta të fundit kampionë në fuqi por që humbën në sfidën e parë të sezonit të ri të Premier League, kampionat që nisi prej ditës së djeshme.

Gary Lineker pa mëdyshje ka bërë histori si futbollist dhe, padyshim, mbrëmjen e kaluar krijoi histori televizive me gjigantin botëror të medias, “BBC”-në.

Top Channel