Trafiku i drogës, arrestohen 2 shoferë autobusi në Berat

13/08/2016 00:00

Agjentët e anti-drogës në Drejtorinë e Policisë së Beratit kanë vënë në pranga pasditen e sotme dy persona, të kapur në posedim të lëndëve narkotike.

Kështu, fillimisht në pranga ka rënë shtetasi Dorjan Qirjazi, 33 vjeç nga Tirana, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e tij me targë “AA 745 EL”, në vendin e quajtur Ura e Vertopit, u gjetën 1.2 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë.

Lënda u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa i dyshuari u shoqërua në ambjentet e komisariatit më të afërt.

Në rrethana të ngjashme është vënë në pranga edhe shoferi tjetër, Avenir Baze, 25 vjeç, i cili u ndalua në aksin Poliçan-Berat.

Në autobusin e tij me targë “AA 714 DV”, parkuar në vendin e quajtur Qafë Hoxhë, u gjet një çantë krahu ngjyrë vishnje, brenda të cilës ndodheshin 612 gramë marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se, të dyja rastet i kanë kaluar tashmë për procedim të mëtejshëm Prokurorisë së rrethit Berat, nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.

Top Channel