Rrufeja që solli sherrin! Iu dogjën dritat, por merrte faturë aforfe

13/08/2016 00:00

Oltian Vishkurti, 34 vjeç, përfundoi në paraburgim për disa orë pas një problemi të shkaktuar më herët nga një rrufe e cila i kishte dëmtuar matësin e energjisë elektrike.

34-vjeçari është grindur pas një debati të nisur për problemin me dritat duke goditur më pas me grushte faturistin e OSHEE-së në fshatin Shën Gjergj.

Ai u soll për masë sigurie për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”, për të cilën Prokuroria e Tiranës kërkoi masën “arrest me burg”.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, 34-vjeçari tha se ishte konfliktuar në një lokal me shtetasin Mikeljan Dusha, 24 vjeç, pasi të dy kishin qenë nën efektin e alkoolit.

Por prokurori i çëshjes, Valentin Preçi i tha gjykatës se i dyshuari e ka goditur faturistin pas një grindjeje të momentit, gjatë të cilës i ka kërkuar llogari faturistit se përse i kishte dhënë një faturë të lartë prindërve të tij.

Sipas prokurorit, për shkak të një rrufeje në familjen Vishkurti ishte dëmtuar matësi i energjisë dhe ata paguanin çdo muaj afrofe. Ka qenë një faturë prej 35 mijë lekësh për një muaj që e ka acaruar 34-vjeçarin, i cili sapo ka takuar faturistin është konfliktuar me të.

Në seancën e sotme, faturisti kishte dërguar një shkresë pajtimi në të cilën shprehej se e falte bashkëfshatrin e tij për grindjen, ndërkohë që gjyqtarja e gatshme dha masën “detyrim paraqitje” për dhunuesin.

Top Channel