Vlorë, shkrumbohet pylli me pisha; në Peqin zjarri përfshin 20 ha ullinj

13/08/2016 00:00

Me dhjetëra hektarë pisha u dogjën ditën e sotme në pyllin e Akërnisë, ku situata vazhdon të jetë e rëndë edhe pse forcat e zjarrfikësve të Vlorës ndodhen në terren.

Zjarri, i cili përfshiu pyllin nga fshati Delisuf deri në Akërni, rrezikoi edhe jetën e zjarrfikësve të cilët për dy orë mbetën të rrethuar nga flakët, të cilat, të favorizuara dhe nga era e fortë përparonin në të gjitha drejtimet. Një re tymi e madhe u ngrit mbi këtë pyll duke shkuar në drejtim të qytetit të Vlorës.

Tre makina të zjarrfikësve të Vlorës me 28 punonjës po punojnë ende për shuarjen e zjarrit, por era e fortë vështirëson operacionin. Në ndihmë të tyre ka ardhur dhe një makinë zjarrfikëse nga Fieri.

Shefi i repartit, Luan Kapaj, i cili ndodhet në brëndesi të pyllit, në një bisedë telefonike u shpreh se situata paraqitej shumë e rëndë. Zjarri në këtë zonë ndodhet në katër pika të ndryshme dhe mendohet se është vënë qëllimisht nga persona të papërgjegjëshëm.

Lidhur me ngjarjen, Policia e Vlorës ka dalë në orët e mbrëmjes me një njoftim për shtyp ku sqaron:

“Rreth orës 15:23, në pyllin e “Pish Poros” ka rënë zjarr duke u djegur kështu 3 vatra, sipërfaqe pyjore me shkurre, kullotë dhe pyje. Erërat e forta kanë bërë të mundur përhapjen me shpejtësi të zjarrit duke u afruar drejt pyjeve të Delisufit dhe Zvërnecit.

Përveç përpjekjeve që po bëhen për neutralizimin e situatës, Policia u bën thirrje qytetarëve që banojnë pranë kësaj zone, të marrin masa për t’u larguar nga ato banesa të cilat rrezikohen nga flakët.

Shërbime të Policisë, Shërbime Zjarrfikëse, Pushteti Lokal, si dhe Emergjencat Civile të Prefekturës ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit. Gjithashtu, në ndihmë të situatës ka ardhur edhe një Helikopter nga Tirana”.

Ndërkohë, po gjatë kësaj të shtune, mbi 20 hektarë sipërfaqe me ullinj në fshatin Përparim të Peqinit u përfshinë nga flakët. Lajmin e konfirmuan autoritetet lokale, të cilat kërkuan ndërhyrje nga ajri për të vënë nën kontroll situatën.

Sipas burimeve, zjarrfikësit e repartit që mbulon zonën e kishin të pamundur të kontrollonin flakët, të favorizuara nga era dhe për shkak të terrenit të thyer.

Top Channel