PD prezanton Shehun në Dibër; kandidati: T’u kthejmë dinjitetin dibranëve

13/08/2016 00:00

Sherefedin Shehu, kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak të Dibrës, është mirëpritur si kandidatura më e mirë nga qytetarët dibranë.

Ndërsa ka përshkruar rrugën në këmbë për të mbërritur në sallën ku do të zhvillohej prezantimi i tij para strukturave të PD, Shehu është takuar me mjaft qytetarë dhe të rinj dibranë, nga të cilët ka marrë mbështetje për fitore në zgjedhjet e qershorit.

Sipas një njoftimi për shtyp të PD, qytetarët shprehën bindjen se Shehu do t’i rikthejë dinjitetin dibranëve, i cili u dëmtua rëndë nga ish-kryebashkiaku socialist, Shukri Xhelili.

Më pas, nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho e prezantuan zotin Shehu para strukturave drejtuese të PD. Në fjalën e tij, Paloka vuri në dukje se, “dibranët dhe shqiptarët nuk munden më të pranojnë dhunën dhe arrogancën e Edi Ramës dhe shukrinjeve te tij”.

“Në fakt, shkaku i vërtetë dhe i vetëm i humbjes sonë në zgjedhjet e fundit ishte përçarja e Partisë Demokratike. Por unë shpresoj dhe besoj se kjo periudhë, gjatë të cilës Dibra fatkeqësisht u drejtua nga shukrinjtë që nuk e përfaqësojnë, ka mjaftuar për të bërë të qartë jo vetëm për ju por për këdo, se nëse ne lejojmë që Dibra të rrëmbehet nga Shukriu si Edi Rama, ne do kemi një përgjegjësi të madhe para qytetarëve jo vetëm të Dibrës, por para gjithë Shqipërisë”, tha Paloka.

Nga ana e tij, kandidati për kryetar bashkie, Sherefedin Shehu vlerësoi besimin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i dha për të kandiduar për bashkinë e Dibrës. Kandidimin ai e cilësoi një detyrim ndaj qytetarëve dibranë për të kontribuar për zhvillimin e zonës dhe punësimin e banorëve të saj.

“Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua sepse së pari Dibra është në ditë të keqe. Është në ditë të keqe prej qeverisë, është në ditë të keqe për ato që ndodhën këtu në Dibër. Por, gjithashtu është në ditë të keqe edhe sepse Dibra është vendi më i pasur me burime natyrore, por më i varfëri ekonomikisht. Pra, kjo është një arsye tjetër që unë e ndjeja përgjegjësinë që të vija e të kërkoja këtë mandat dhe t’ju përfaqësoj juve jo më nga karrikja e Parlamentit, por me projekte konkrete për ta zhvilluar Dibrën, sepse dibranët janë njerëzit më punëtorë”, tha Shehu.

Top Channel