Kapet e dehur në timon, dorëhiqet ministrja suedeze

13/08/2016 00:00

Ministrja më e re në moshë në historinë e Suedisë, Aida Hadzialiç ka dhënë dorëheqjen nga posti pasi u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.

Hadzialiç, 29 vjeçe, ishte ministre për Arsimin e Lartë në qeverinë e qendrës së majtë dhe njëkohësisht eksponentja e parë myslimane e saj.

Ajo kishte tejkaluar të gjitha normat e lejuara të konsumimit të alkoolit dhe e ka quajtur incidentin si “gabimin më të madh të jetës sime”.

Hadzialiç, e cila mbërriti në Suedi në moshën 5-vjeçare nga Bosnje-Hercegovina, kishte konsumuar dy gota verë përpara se të ndalej në urën që lidh Danimarkën me Suedinë.

Tashmë ajo rrezikon të përballet edhe me 6 muaj burg, pasi policia konstatoi se niveli i alkoolit në gjakun e saj ishte 0.2 gramë për litër.

Duke sqaruar gabimin, ish-ministrja tha se kishte pirë një gotë verë me gaz dhe një me verë të kuqe pas një nate në Kopenhagen dhe ishte nisur për në qytetin suedez të Malmos 4 orë më vonë.

Top Channel