“Rio 2016”, atletika nis me rekord botëror

13/08/2016 00:00

Atletika, mbretëresha e sporteve, nis me një rekord botëror në “Rio 2016”. Etiopiania Almaz Ayana bëri një supergarë në 10 mijë metra për femra, duke vendosur një kohë e cila duket se për shumë vite do të jetë pothuajse e paprekshme.

24-vjeçarja nga Etiopia e mbylli garën me kohën 29 minuta, 17 sekonda e 45 të qindat, rreth 14 sekonda më shpejt se rekordi 23-vjeçar i kinezes Junxia në këtë disiplinë.

Kjo ishte gara e dytë që Ayana bënte në këtë disiplinë, pasi e preferuara e saj është ajo e 5000 metrave. 

Not, Ledecky merr medaljen e katërt

Katie Ledecky vazhdon të mbetet protagonistja absolute në not. 19-vjeçarja amerikane theu rekordin botëror në 800 metra stil i lirë me kohën 8 minuta, 4 sekonda e 79 të qindat dhe mori medaljen e katërt të artë në “Rio 2016”. Ledecky bëhet dhe notarja e parë pas 48 vjetësh që merr 3 medalje ari në 200, 400 dhe 800 metra stil i lirë.

Medaljen e argjendtë në këtë disiplinë e mori britanika Jazmin Carlin, ndërsa atë të bronzit hungarezja Kapas.

Kina dominon ecjen sportive

Kina dominoi garën e 20 kilometrave ecje sportive për meshkuj, pasi mori dy vendet e para në pod. Wang Zhen përmirësoi kohën e regjistruar prej tij në “Londër 2012”, pasi në kryeqytetin brazilian ai mori medaljen e artë me kohën e 1 orë 19 minuta e 14 sekonda, ndërsa atë të argjendtë e fitoi bashkëkombasi i tij Cai Zelin.

Vendin e tretë dhe medaljen e bronzit në këtë disiplinë e mori australiani Dane Bird Smith.

Gjimnastikë, Maclennan mbrojti titullin në kërcimin në trampolinë

Rosanagh Maclennan e Kanadasë mbrojti titullin kampione olimpike në kërcimin në trampolinë në gjimnastikë. Ashtu si 4 vjet më parë në Londër, edhe në Rio 27-vjeçarja grumbulloi 56.465 pikë në total dhe mori medaljen e artë, duke lënë pas vetes britaniken Bryony Page, e cila mori rreth 400 pikë më pak sesa kanadezja.

Ndërkohë, Kina e cila në Londër fitoi 2 medalje në këtë disiplinë, këtu në Rio u kënaq vetëm me vendin e tretë që e mori Li Dan.

Riner, francezi më i mirë në xhudo

Teddy Riner mposhti japonezin Harasava dhe mbrojti titullin kampion olimpik në xhudo në peshën mbi 100 kg. 27-vjeçari, i cili nuk ka pësuar asnjë humbje në këto 6 vjet, konfirmohet si sportisti më i mirë francez në këtë sport.

Medaljen e bronzit e mori braziliani Rafael Silva.

Kjo është medalja e dytë e artë franceze në këtë sport, më parë Emilie Andeol u shpall kampione në peshën 78 kg.

Munden kampionet e futbollit. Amerika eliminohet pasi mposhtet me 11-metërsha nga Suedia

Kombëtarja suedeze e femrave në futboll mundi me 11-metërsha 4-3 SHBA-në dhe kalon në gjysëmfinalet e këtij turneu. Amerikanet, të cilat dominuan lojën, por ishin të pafata në gjuatjen e 11-metërshave, në 5 olimpiadat e fundit janë shpallur 4 herë kampione olimpike, ndërkohë që kjo është hera e parë që ato nuk shkojnë në finale.

Top Channel