3 sportistë me doping, pezullohen nga Lojërat Olimpike

13/08/2016 00:00

Një notare kineze, një peshëngritës polak dhe një atlete bullgare u pezulluan nga Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros pasi dështuan në kontrollet antidoping, duke u bërë të parët që njollosin turneun e kësaj vere në Brazil.

Notarja kineze Chen Xinyi doli pozitive në analizat për substanca të ndaluara në ditën kur përfundoi në vendin e katërt në finalen e femrave në 100 metra në stilin flutur. Por, rezultati i saj tani mbetet në dyshim. Xinyi ka kërkuar që kampioni i marrë prej trupit të saj të analizohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, duke e kontestuar rezultatin e mostrës së parë. Për notaren aziatike është aplikuar një pezullim kohor deri në një vendim të dytë, por më keq e kanë pësuar atletët e tjerë.

Peshëngritësi polak Tomasz Zielinksi dhe maratonistja Silvia Danekova u përjashtuan nga Olimpiada e vendit të sambës për përdorim të stimuluesve. Të dy këtyre sportistëve iu hoq akreditimi olimpik dhe nuk u lejuan të jenë më pjesë e delegacioneve përkatëse. Danekova, 33 vjeç, nuk ishte mes pretendentëve për medalje në kampin bullgar, ndërsa Zielinski pati gjurmë të nandrolonit në gjak dhe kjo do t’i kushtojë shumë.

Top Channel