Kontrata për HEC-et private, hiqet çmimi i fiksuar i shitjes

12/08/2016 00:00

Shoqata e Prodhuesve Privatë të Energjisë kundërshtojnë nënshkrimin e kontratave të reja që transferojnë shit-blerjen e energjisë nga KESH-i tek OSHEE-ja.

Ata thonë se kontrata e re u kërkon të jenë dakord me një ligj që është në proces draftimi dhe që nuk pasqyron interesat e tyre. Ky draft është ligji i ri i energjive të rinovueshme, që sipas Shoqatës i shndërron prodhuesit në tregtarë, duke u krijuar veçanërisht dy pasiguri të mëdha.

“Siç janë sa i përket tërheqjes së gjithë energjisë që do jetë e nevojshme dhe çmimit final, pasi ka parashikime se do ketë një plotësim brenda 6 orëve. Nëse kjo e tejkalon atë 6-orësh, ky çmim i garantuar në treg nuk do të jetë më, ndoshta do të jetë zero”, thotë Lorenc Gordani, përfaqësues i Shoqatës.

Por OSHEE hedh poshtë këto pretendime. “Është një pretendim apriori, asnjë kontratë nuk është nënshkruar me çmim të caktuar. Ka një garanci që do vazhdojë deri në fund të kontratës, me afat 15-vjecar, në vartësi të energjisë së prodhuar nga këta prodhues të pavarur, në garantim të një çmimi që azhornohet çdo vit nga ERE”, deklaron Elton Sevrani, drejtor i Tregtimit në OSHEE.

Ndërkohë, Ministria e Energjisë thotë se nga 85 shoqëri që kanë në pronësi HEC-e, 62 prej tyre kanë lidhur kontratën me OSHEE-në dhe ata që e kundërshtojnë janë 23.

Top Channel