Vrasja e elektriçistit, familja në zi; reagon kreu i OSHEE

12/08/2016 00:00

Të premten pasdreke OSHEE njoftoi rritjen e pagave për punonjësit e saj. Por Zamir Velaj, elektriçisti i vrarë të enjten në krye të detyrës në Oblik të Shkodrës, nuk do ta gëzojë dot atë.

Ai u godit me armë të ftohtë nga një individ sepse refuzoi kërkesën e tij të dhunshme për t’i rilidhur dritat e ndërprera nga mospagimi i faturave.

Ngjarja ka tronditur jo vetëm banorët e Oblikut dhe Muriqanit, ku i ndjeri Velaj banonte, por mbarë opinionin publik. Jashtë kamerave të afërmit e elektriçistit dhe banorë të zonës shprehen të shokuar, se si mundet që njeriu i tyre të dalë në mëngjes që të shkojë të kryejë detyrën dhe të kthehet i vdekur, i masakruar me thikë, pa i rënë askujt në qafë.

Sakaq, në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, Ardian Çela, i cili i permtoi familjes së të ndjerit Velaj arsimimin e fëmijëve, ndërsa bëri edhe një apel.

“Iu bëj thirrje të gjithë abonentëve debitorë të respektojnë ligjin dhe ato aktmarrëveshje që kompania ka ofruar sepse ne jemi të vendosur. Gjithashtu u bëj thirrje organeve të rendit dhe prokurorisë që ta zbardhin deri në fund këtë ngjarje sepse është e dhimbshme jo vetëm për punonjësit, por për familjarët e të ndjerit”, apeloi Çela.

Top Channel