“Fushata” e KLSH, prapavijat politike të goditjeve ndaj Bankës dhe KQZ

12/08/2016 00:00

Në fund të 2013-s, kur sapo kishte mbushur një vit nga zgjedhja në krye të KQZ-së vetëm me votat e Partisë Demokratike, Lefteri Luzi u padit nga Partia Socialiste për shpërdorim detyre, pas dështimit të procesit për votimin elektronik në Fier.

Pas një hetimi dyvjeçar, prokuroria e pushoi çështjen, e cila është rihapur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me një padi penale. E pyetur nga Top Channel, kryetarja e KQZ-së nuk komentoi vendimin e Kontrollit të Shtetit, por tha se do të flasë pasi të flasë drejtësia.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka dorëzuar padinë penale rreth një muaj më parë, por bie në sy fakti se këtë javë ky institucion ka nxjerrë në publik dy raporte të rëndësishme, ai për Bankën e Shqipërisë dhe ky për KQZ-në.

Raporti për Bankën doli në publik ende pa shkuar në Parlament, pa i dhënë mundesinë prokurorisë të hetojë për dyshimet e KLSH-së.

Por nëse rasti i Bankës mund të kalojë pa shumë bujë për shkak se bëhet fjalë për stabilitetin e vendit, në rastin e KQZ-së vendimi për ndjekjen penale dhe publikimi i vonuar i vendimit mund të këtë prapavijë politike.

Lefetrie Luzit i mbaron mandati në mesin e muajit tetor dhe sipas Kodit Zgjedhor, Kuvendi duhet të lajmërojë vakancën dhe të nisë procedurat për kryetarin e ri jo më vonë se mesi i shtatorit.

Kur mori mandatin, Luzi kishte mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike, por në kohën e zgjdhjeve lokale marrëdhëniet me partinë që e zgjodhi, tani në opozitë, ishin të ftohura dhe PD nuk duket se e ka zonjën Luzi në preferencat e saj për t’ia rifreskuar mandatin.

Por a është goditja e KLSH-së një goditje për të përjashtuar kandidaturën e saj për t’u rizgjedhur në krye të KQZ dhe për llogari të kujt?

Për Partinë Socialiste, e cila sot ka raporte të qeta me zonjën Luzi, alibia e rizgjedhjes së një kryetareje të KQZ dikur dalë nga Partia Demokratike do të ishte e mirëpritur.

Një arsye e mjaftueshme për të parë si të besueshme goditjen që ajo ka marrë nga Bujar Leskaj. Ky i fundit, ndryshe nga zonja Luzi, ruan me ish-partinë e tij raporte shumë të mira.

Top Channel