Sulmi në Ansbach, Gjermania ishte paralajmëruar për kamikazin sirian

12/08/2016 00:00

Hetimet për sulmin terrorist në Ansbach të Gjermanisë kanë zbuluar faktin që Gjermania ka qenë e paralajmëruar shumë kohë më parë se shtetasi sirian, i cili hodhi veten në erë gjatë muajit të kaluar, mund të ndërmerrte një përpjekje “spektakolare” vetëvrasëse, nëse autoritetet gjermane përpiqeshin ta deportonin atë.

Mohammed Daleee ishte përfshirë në listën për t’u deportuar, në momentin kur ai vendosi të aktivizonte mjetin shpërthyes në qytetin bavarez të Ansbachut më 24 korrik. Një raport 25-faqësh vlerësimi psikologjik, i shkruar më shumë se një vit më parë, theksonte “shpirtin e tij ekstremist”. Ky raport i ishte dërguar Zyrës federale për Emigrimin dhe Refugjatët dhe paralajmëronte se, përpjekjet për deportimin e Daleelit mund të rezultonin në një përpjekje të tij “spektakolare” për t’u vetëvrarë.

Përpara se të hidhte veten në erë, Mohammed Daleel kishte lënë një mesazh përmes të cilit i premtonte besnikëri Abu Bakr al-Baghdadit, udhëheqësit të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Agresori u përpoq të hynte në një koncert që mbahej në ambiente të hapura dhe që po ndiqej nga rreth 2.500 vetë, por u ndal nga një roje sigurie. Ndaj dhe ai zgjodhi të aktivizonte eksplozivin e fshehur në çantën e shpinës në një birrari me verandë, duke u vetëvrarë dhe duke lënë të plagosur 15 të tjerë.

Vetëm 10 ditë përpara sulmit, Daleeel kishte marrë njoftimin nga autoritetet gjermane se ai do të deportohej për në Bullgari. Bazuar mbi rregulloren e Dublinit, refugjatët duhet të aplikojnë për azil në vendin e parë të BE-së ku kanë hyrë. Daleel, në fakt, kishte hyrë në Bullgari nga Turqia në vitin 2013, por më vonë ai pretendoi se ishte abuzuar në paraburgim gjatë kohës që kishte qëndruar në Bullgari.

Vlerësimi psikologjik i Mohammed Daleel, i siguruar edhe nga “BBC”, ishte shkruar nga Axel von Maltitz, një terapeut traumash në qytetin e Lindaut. Ky mjek e trajtoi 27-vjeçarin sirian për probleme psikologjike deri në muajin janar të këtij viti. Megjithatë, ai beson se njoftimi për deportimin e tij kishte shërbyer si nxitje për të ndërmarrë sulmin vdekjeprurës.

“Ajo ishte çfarë kishte premtuar vet ai. Kjo ishte përgjigjja e tij ndaj informacionit të marrë nga autoritetet gjermane mbi deportimin. I paralajmërova ata, e kam të shkruar. U thashë se duhej të tregoheshin të kujdesshëm, nëse ai do të deportohej realisht në Bullgari”.

Axel von Maltitz e takoi për herë të parë Mohammed Daleelin në janar të vitit 2015, pasi siriani kishte tentuar të priste damarët e duarve, pas një tjetër urdhërdeportimi. “Ai kishte plagë përreth duarve të tij, sepse ajo ngjarje dukej të ishte ende e freskët. Ai ishte tmerrësisht i traumatizuar. Traumatizimi i një personi ka simptoma tepër tipike, ndër të cilat ai kishte edhe çrregullime të rënduara posttraumatike të stresit”.

Top Channel