Kosovë, Murat Meha nën mbrojtjen e Policisë për 24 orë

12/08/2016 00:00

Pas hedhjes së një mjeti shpërthyes gjatë së martës te shtëpia e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacionin, Murat Meha, Policia e Kosovës i ka ofruar atij mbrojtje.

Ditën kur ishte hedhur ai mjet i dyshimtë, që më pas u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga policia, Murat Meha kishte qenë duke mbajtur një konferencë për media bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, në të cilën ka ripërsëritur se Kosova nuk ka humbur territor me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Gazeta “Insajderi” ka mësuar se Meha e ka pranuar mbrojtjen dhe vëzhgimin nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, për shkak të rrezikshmërisë pas këtij rasti. Meha pati reaguar menjëherë të martën, duke thënë se po i rrezikohet edhe familja.

“Ky është një sulm ndaj familjes time, që po bëhet prej një dore të zgjatur, e që po mundohet të rrezikojë gjithçka, përfshi edhe familjen time”, ka thënë Meha.

Përveç Mehës, policia ka ofruar mbrojtje edhe për anëtarët e tjerë të këtij komisioni, mirëpo sipas burimeve të “Insajderit”, ata e kanë refuzuar këtë masë sigurie.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, e kontaktuar nga mediat kosovare, nuk ka dhënë ende një përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Top Channel