Rinia kosovare: Kosova nuk ofron stabilitet social për të rinjtë

12/08/2016 00:00

Qeveria e Rinisë Europiane në Kosovë (KREK) ka vendosur që në Ditën ndërkombëtare të Rinisë të flasin për problemet e të rinjve. Presidenti i kësaj organizate, Avdullah Hasani, gjatë një konference për mediet të organizuar lidhur me Ditën botërore të Rinisë, është shprehur se të rinjtë nuk shohin asnjë perspektivë në Republikën e Kosovës, ndeshen me probleme të vështira për t’u zgjidhur dhe i vetmi opsion që u mbetet është të marrim rrugën e emigrimit.

“Klasa politike duhet t’i ndryshojë qëndrimet dhe veprimet e saj ndaj rinisë, duke iu mundësuar qasje në jetën institucionale dhe në organizata, ku mund t’i shprehin idetë dhe vizionet që kanë për të ardhmen e tyre. Rinia e orientuar sipas parimeve të drejta shoqërore është themeli i shoqërisë që krijon udhëheqësit e së nesërmes dhe është shpresa e së ardhmes”, tha Hasani.

Ai shtoi se rinia është mbërthyer brenda një konfuzioni shumë të paqartë për të ardhmen e tyre, ppër shkak se është shtresa më e harruar e shoqërisë.

Ndërsa senatorja e “KREK”-ut, Norita Emini tha se “institucionet e Kosovës nuk po bëjnë shumë për sigurinë në objektet arsimore dhe ato universitare”.

Nga ana tjetër, senatorja Vesa Agani tha se të rinjtë në Kosovë ndihen të diskriminuar që në fillim të karrierës se tyre profesionale, për shkak se konkurset për vendet e punës kërkojnë së paku një vit përvojë pune.

“Kjo për shkak se atyre nuk u jepet mundësia që ta krijojnë këtë përvojë”, ka thënë ajo.

Në konferencën e “KREK”-ut u diskutua edhe për privatizimin e Pallatit të Rinisë, kriminalitetin ndaj të miturve, si dhe sfidat e mëdha të të rinjve: mungesa e liberalizimit të vizave, niveli i papunësisë në Kosovë, përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.

Top Channel