Rio, atletja Gega me probleme fizike përpara garimit

12/08/2016 00:00

Ajo është sportistja e vetme që mban me shpresa Shqipërinë për një medalje olimpike në Rio de Janeiro, por në prag të garimit të saj në garën e 3.000 metrave me pengesa, atletja nënkampione e Europës, Luiza Gega, vijon të ketë probleme me tendinën e Akilit. Probleme këto që i kushtëzojnë asaj formën optimale në këtë olimpiadë.

Nga sa raportohet, 28-vjeçarja i është nënshtruar një terapie intensive për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur dhimbjet, që i janë rikthyer pas stërvitjeve intensive në Rio, edhe pse gjatë stërvitjes në Dardhë të Korçës dukej se gjithçka po lihej pas.

Luiza Gega do të jetë një nga 56 atletet që do të garojnë në 3.000 metra me pengesa, ku konkurrenca është shumë e fortë. Rekordmenia e Shqipërisë pritet të zbresë në pistë sipas programit në orën 15:05, pasi bën pjesë në baterinë e parë kualifikuese.

Nëse do të kualifikohet në finale, Luiza Gega do të tentojë zonën e medaljeve në garën që do të zhvilohet më 15 gusht.

Top Channel